A jam me diabet. Pse mjeku më kërkon kontrollin e yndyrnave

PYETJE
PËR DIABETIN
Pyetje : Jam me diabet. Pse mjeku më kërkon herë pas here kontroll të yndyrave, çfarë lidhje kanë me diabetin?
Është i njohur fakti se diabeti i të rriturve (Tip 2) ka risk më të lartë për atak të zemrës(infarkt) dhe goditje të trurit të cilët mund të shkaktohen nga dislipidemia diabetike, gjendje në të cilën yndyrat në gjak janë mbi vlerat normale. Shumë njerëz me diabet kanë HDL- kolesterol (kolesteroli i mirë) të ulët, dhe trigliceride të larta.
Për të pasur nën kontroll zemrën dhe enët e gjakut, duhet të kontrolloni në mënyrë periodike nivelin e yndyrave në gjak (kolesterolin dhe trigliceridet). Kur vlerat e tyre janë anormale, duhen trajtuar krahas diabetit. Madje objektivi për nivelin e kolesterolit dhe tensionin arterial te njerëzit me diabet është më i ulët se për njerëzit pa diabet.
Në fakt, të gjithë personat me diabet Tip 2 do të përfitonin nga përdorimi i një statine (ilaç për të ulur yndyrat në gjak), madje dhe kur niveli i kolesterolit nuk është dukshëm i lartë, prandaj dhe i rekomandohet të gjithë personave me diabet, mbi 40 vjeç, me nivel të kolesterolit mbi 200 mg/dl ta marrin atë.
Pyetje : Duhet filluar mjekimi për uljen e yndyrave të larta, menjëherë, sapo diagnostikohet diabeti?
Veç rasteve të veçanta, fillimisht duhet pritur normalizimi i nivelit të sheqerit në gjak (glicemisë).
Njihet fakti se hiperglicemia e pakontrolluar shkakton çrregullim të yndyrave, veçanërisht triglicerideve. Masa e parë që duhet marrë është dieta dhe, kur është e nevojshme, ilaçet nga goja. Këshillohet që pas 6-12 javësh, mbas arritjes së një kontrolli të arsyeshëm të nivelit të sheqerit në gjak (glicemisë), të përsëritet matja e yndyrave në gjak. Me normalizimin e glicemisë, çrregullimet e yndyrave shpesh përmirësohen, madje në mënyrë spektakolare, veçanërisht trigliceridet.
Kur nuk përmirësohen shpejt atëherë shkak nuk është diabeti por mund të jetë ndonjë çrregullim gjenetik i tyre.

Dr. Shefqet Deliallisi