70 vjecarja e varfer shet vicin dhe parat i dhuron te prekurve nga termeti ne Turqi

Njerëzit me zemër të madhe shihen në raste nevoje. E tillë është edhe Sarigul Kaçan, një 70-vjeçare nga Turqia. E moshuara nga fshati Karahan, në afërsi të zonave të goditura nga tërmeti, ka kryer një gjest vërtet fisnik dhe human. Ajo nuk kishte pasuri, por të vetmen gjë të vlefshme e shiti dhe paratë i dhuroi për ndihma.

Bëhet fjalë për viçin e saj që e rriste prej kohësh për ta bërë lopë. Gruaja 70-vjeçare e shiti atë për 13 mijë lira, ose rreth 675 euro, në treg dhe paratë i dorëzoi për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti. Veprimi i të moshuarës ka prekur shumë njerëz, duke bërë që gjithëkush të mobilizohet e të dhurojë sado pak nga pasuria e tyre në këtë tragjedi që ka ndodhur.

“Unë e fal mëshqerrën për ata që vdiqën në tërmet. Zoti e ruajtë dhe e shpëtoftë Presidentin tonë, ata që po ndihmojë njerëzit, ushtarët tanë dhe këdo që po nxjerr njerëzit nga rrënojat. Zoti mos sprovoftë më vendin tonë me ngjarje të tilla” – tha e moshuara.

Deri më tani, më shumë se 17 mijë persona janë nxjerr të pajetë nga rrënojat e tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë.