Nje page shtese per bebet, Çeku nuk mjafton

Të rritësh një fëmijë në ditët e sotme nuk është e lehtë. Ndonëse qeveria ndërmori një politikë, e cila synonte të ndihmonte nënat e reja, duket se shpenzimet për një të porsalindur janë më të mëdha.

Sibora Kalluçi, nënë për herë të parë, tregon se ka marrë bonusin prej 40 mijë lekë të reja, por është i pamjaftueshëm. “Bonusi që merret është i pamjaftueshëm. Vetëm diçka mund të mbyllësh me të”, u shpreh ajo.

Sibora na tregon shpenzimet e nevojshme që duhet të mbulonte për fëmijën e saj. “Kishim përgatitur dhomën me krevatin, karrocën, rrobat që do vishte, pelenat. Jam përpjekur të gjej një mesatare të mundshme për të gjitha produktet”, tha ajo.

Sipas saj duhet një pagë minimale për të mbuluar shpenzimet e një fëmije në një muaj, por çdo shpenzim varet edhe nga të ardhurat e prindërve.

“Duhet një pagë minimale. Mund të zgjedhësh karrocën 150 euro, është zgjedhje që e bëjnë prindërit në bazë të buxhetit”, tregon nëna.

Ndër të tjera ajo shton se për një nënë që ka vështirësi me gjidhënien, qumështi formulë ka një kosto ekstra.

Gjithashtu ajo thekson se duhet të mendohet në plan afatgjatë. “Fëmija ka shpenzim gjithë jetën në bazë të moshës që ka”, shprehet ajo.