Mjeku Ilir Alimehmeti ben deklaratene forte:”MJAFT e trajtuat me antibiotikë. Këtë vit gripi është më agresiv”

Vala e infektimeve nga gripi ende nuk ka shënuar kulmin e saj. Për shkak edhe të motit të mirë, piku i infektimeve, këtë dimër, parashikohet të arrihet në fund të muajit janar, në fillim të shkurtit. Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë për A2CNN se kjo situatë ishte e pritshme. Të dhënat e para nga shtetet e Hemisferës Jugore flisnin për një grip më agresiv përballë një popullsie që tashmë kishte imunitet ndaj COVID-it, por jo ndaj gripit.

Sa i përket klinikës, mjekët e cilësojnë një grip rebel, me temperaturë të lartë që zgjat për disa ditë, shoqëruar me ethe dhe lodhje. Vetëm në rast komplikacionesh mund të përdoren antibiotikë, por vetëm me rekomandimin e mjekut. Ashtu si kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj edhe epidemiologu Alimehmeti thotë se situata që po përjeton Kina me koronavirusin është larg Evropës, e cila tashmë ka dalë nga faza akute e pandemisë.

E meqenëse gripi është më aktiv këtë vit, e kjo dihej edhe nga autoritetet shëndetësore, Alimehmeti thotë se duhet të ishin marrë masat më herët në mënyrë që vaksinimi antigrip të kryhej në tetor dhe dozat të ishin më të shtuara, për të mbuluar të gjitha kategoritë e riskut.