Mjekja: Ky është shkaku kryesor i krijimit dhe si të luftoni hemorroidet me këtë përbërës që nuk u shkon në mendje

0
1501

Hemorroidet janë zgjerime të vazave të gjakut që ndodhen në fund të zorrës së trashë. Hasen në çdo moshë, por më të shpeshta janë pas dekadës së katërt. Shkaktarë kryesore për formimin e tyre janë dieta e varfër me fibra, konstipacioni, diarreja e zgjatur, obeziteti, shtatzënia, sforcimi gjatë defekimit, historia familjare etj.

Nevila Lengu, mjeke gasto-hepatologe, pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr.1 në kryeqytet, tregon më tepër lidhur mbi këtë patologji, duke e vënë rëndësinë tek mënyrat e trajtimit. Ndërkohë që thekson se një pjesë e mirë e pacientëve vetëmjekohen në farmaci duke neglizhuar konsultën me mjekun specialist, edhe pse shpeshherë pas hemorrideve mund të fshihet një patologji shumë më e rëndë siç është kanceri i zorrës së trashë.

Çfarë kuptojmë me hemorroide?

Hemorroidet janë zgjerim i venave të lokalizuara në fund të zorrës së trashë (rektum dhe anus). Në varësi të lokalizimit ato klasifikohen si të brendshme (lokalizimi rektum) dhe të jashtme kur evidentohen në zonën përreth anusit. Hemorroidet e brendshme bëhen të dukshme vetëm kur ato prolabojnë jashtë anusit gjatë defekimit, ndërsa hemorroidet e jashtme mund të konstatohen që në fillim nga vetë pacienti pasi janë të palpueshme me dorë dhe të dukshme.

Hemorroidet mund t’i hasim në çdo moshë, por më të shpeshta janë pas dekadës së katërt. Preken si meshkujt, ashtu edhe femrat me një shpeshtësi më të madhe tek këto të fundit.

Cilët janë faktorët prirës të hemorroideve?

Shkaktarët kryesore janë dieta e varfer me fibra, kapsllëku dhe diarreja e zgjatur, obeziteti, shtatzënia, qëndrimi ulur gjatë në tualet dhe sforcimi gjatë defekimit, si dhe historia familjare.

Cilat janë shenjat klinike të hemorroideve dhe si bëhet diagnostikimi?

Ankesat më të shpeshta janë defekimi me gjak të pastër në fund, kruarje dhe diegje përreth anusit, dhimbje gjatë defekimit, ndjenjë e parehatisë në fund të zorrës së trashë dhe konstatimi nga vetë pacienti i venave të fryra përreth anusit.

Diagnoza vendoset nëpërmjet inspektimit lokal, ekzaminimit me gisht (tuche rektale), anoskopisë dhe sigmoidoskopisë. Duke qenë se gjakrrjedhja është ankesa më e shpeshtë, ajo nuk duhet neglizhuar, por duhet bërë diagnoza diferenciale veçanërisht me kancerin e pjesës fundore të zorrës së trashë.

Si bëhet trajtimi i hemorroideve?

Së pari bëhet stadifikimi i hemorroideve, që realizohet në bazë të faktit nëse prolabojnë apo jo, nëse prolabimi është i rikthyeshëm apo jo (spontan apo manual) dhe nëse kanë krijuar trombe në brendësi.

Këta tregues i klasifikojnë ato në 4 grada.

Në stadet e para trajtimi është dietetik (dietë e pasur me fibra, konsumim i mjaftueshëm i ujit, kujdes në përdorimin e alkoolit dhe kafesë, moskonsumim i ushqimeve pikante) higjienë personale, mospërdorimi i letrës higjienike, por pecetave të gatshme të lagura por jo me përmbajtje alkooli dhe medikamentoz (supostë dhe kremra me kortizonike dhe anestetikë lokale, lehtësues së jashtëqitjes pra laksative dhe qetësues të dhimbjes si paracetamoli).

Në stadet e avancuara rekomandohen mënyra trajtimi më agresive, si: ligatura me banda elastike, procedurë ku baza e venës varikoze lidhet me një unazë elastike duke penguar furnizimin me gjak dhe shkëputjen gradualisht të kësaj të fundit, skleroterapia që konsiston në injektimin në bazë të venës varikoze të lëndeve sklerotizante që e rrudhosin venën.

Trajtimi me nxehtësi si elektrokoagulim, lazer ose rreze infra të kuqe dhe interventi kirurgjikal (hemorroidektomia).

Ligatura me banda elastike dhe hemorroidektomia janë metodat më të sigurta për mosripërsëritjen e hemorroideve.

Këshilla?

Dieta e pasur me fibra (fruta dhe perime) përdorimi i mjaftueshëm i lëngjeve, trajtimi i konstipacionit, shmangia e sforcimit gjatë defekimit dhe qëndrimit gjatë ulur parandalojnë jo vetëm shfaqjen e hemorroideve por edhe agravimin e tyre.

Një pjesë e mirë e pacientëve i neglizhojnë ankesat ose mjaftohen vetëm me marrjen në farmaci të medikamenteve pa konsultën e mjekut.

Kujdes! Pas një rektoragjie në dukje të thjeshtë mund të fshihet një patologji shumë më serioze se hemorroidet dhe jo e pamundur bashkekzistenca me patologji të tilla