Korçari cudit komshinjt e tij duke pastruar dhe pikturuar lagjen ku jeton

0
801

Një lagje në Korçë ndryshon nga të tjerat, rrugët janë të pikturuara dhe lulishtja plot ngjyra. Pas kësaj pune të bukur qëndron Tomor Hoxha, i cili angazhohet vullnetarisht për qytetin.

Tomor Hoxha banon në lagjen 14 të qytetit të Korçës. Prej 5 vitesh, me ndihmën e fqinjëve ka ndërmarrë nismën qytetare për të mirëmbajtur hapësirën publike. Kjo lagje merr forma dhe ngjyra të ndryshe nga viti në vit. Tomori pikturon rrugët me motivacione të larmishme si dhe mbjell shumëllojshmëri lulesh.

Ai tregon për Report Tv se punët publike kryhen me kontributin vullnetar të banorëve, pa asnjë financim nga bashkia.

“Më pëlqen të bëj gjëra të bukura për lagjen time. Më jepet për këto punë. Me këtë komshiun blemë lule fillimisht dhe vazhduam me të tjerat. Sa të jem unë kjo iniciativë do të vazhdojë. Kjo imponon dhe qytetarët ta mbajmë pastër ambientin”, tha Tomor Hoxha.

Në nismën e tij Tomori gjeti dhe mbështetjen e Rami Sulellarit, një ish-ushtaraku në pension.

“Çdo ditë ne pastrojmë rrugën dhe njerëzve u është krijuar ideja qe të mos hedhin asnjë mbeturina as bishtat e cigareve.

Është e vështirë se do lek, do investime që të vazhdojë se deri tani ne e kemi mbajtur me buxhetet tona familjare”, tha Rami Sulellari.

Lagjja 14 në Korçë është një mozaik ngjyrash dhe model pastërtie.