Kishte ardhur t’i bënte surprizë familjes,27 vjecari ben parakalimin e gabuar dhe humb jeten

Festim Meçja, ndodhej vetëm pak kilometra larg banesës së tij në Sinaballaj të Rrogozhinës. Kishte udhëtuar me qindra të tjera për të marrë pjesë në dy gëzime familjare, martonte dy të afërm brenda fisit, dhe nuk kishte vënë njeri në dijeni për ardhjen e tij pas një viti në Atdhe, shkruan gazetari Fatjon Gjinaj. Donte t’u shfaqej surprizë familjarëve të tij.

Ndaj u deshën orë të mësohej identiteti i tij.

Një parakalim i gabuar dhe humbje e kontrollit të mjetit nga ana e 27-vjeçarit, thonë paraprakisht ekspertët. Kushedi i gjori, në atë çast (nga vendi ku ndodhi ngjarja është ekzaktësisht kthesa që e çonte në shtëpi), po mendonte momentin e përqafimit me familjarët, ndonjë dhuratë që kishte sjellë apo kujtimet e fëmijërisë e të rinisë në Sinaballaj.

Makina me të cilën udhëtonte 27-vjeçari, rezultonte në emër të një biznesmeni nga Durrësi, i cili ia kishte dhënë me qira Festimit, sapo kishte zbritur nga trageti i ardhur nga brigjet italiane. Ndoshta ekspertët do ta përcaktojnë përfundimisht shkakun e aksidentit, por kurrë askush nuk do ta kundërshtojë dot pafajësinë e tij, nëse do jetë sado pak njerëzor të përfytyrojë ato mendime të atij djaloshi në “oborrin e shtëpisë”.