Kinematografia shqiptare është në zi. Humb jeten aktori 57 vjecar qe e donim te gjithe

Një tjetër aktor do t’i mungojë prej sot kinematografisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve. Aktori i njohur, Enea Zhegu, ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të diele, pasi vuante nga një sëmundje. Ai ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, duke lënë pas një sërë role, për të cilët do të mbahet mend gjithmonë. Ai u bë i njohur që në fëmijërinë e tij.

Mbarësia do t’i vinte që në vitin 1978, kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi për filmin “Lulëkuqet mbi mur”. Një vit më pas, Viktor Gjika do ta merrte për filmin “Njeriu me top” e në këtë kohë do të zgjidhej dhe për rolin kryesor të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, pra për rolin e Tomkës që do ta bënte të famshëm, ndërsa ai ishte ende nxënës në klasën e shtatë. Enea Zhegu ishte ndërgjegjësuar nga dy eksperiencat e para se ç’do të thoshte të bëheshe pjesë e një filmi. Ndaj në ditën kur Xhanfize Keko kishte mbledhur fëmijët, po aq të njohur sa edhe ai në botën e filmit, e dëshironte me gjithë shpirt Tomkën. Dhe kur fitoi konkursin që iu duk shumë i vështirë (sepse kishte rivalë të fortë), u ndje jo vetëm i gëzuar, por edhe disi superior ndaj të tjerëve. Ai do të ishte komandanti.

Enea e kuptoi shumë mirë rolin që po i kërkohej të bënte, aq sa do të mësonte shpejt ta luante bukur edhe jashtë sheshit të xhirimit. I gjendur gjithmonë në qendër të vëmendjes (sidomos pas shfaqjes së filmit “Tomka dhe shokët e tij), i llastuar jo pak nga gjyshërit e tij dhe i preferuar nga regjisorët e njohur, Enea do të ndjehej shumë i rëndësishëm. Deri diku dhe i paprekshëm. Ndoshta prandaj, vite më pas, kur nuk do të ishte më fëmija të cilit mund t’ia falnin lehtë gabimet, jeta nuk do t’i vinte dhe aq e mbarë sa në fëmijëri.