Kamarieri i ve zjarrin lokalit ne Fier pasi pronari e hoqi nga puna

Një 40-vjeçar është arrestuar së fundmi në Fier pasi ka tentuar të djegë një lokal në lagjen “Apollonia”. Mësohet se shtetasi Altion Sulejmanaj i ka vënë flakën lokalit ku më parë kishte punuar si kamarier.

Por kur pronari me iniciale S.M e hoqi nga puna, tensionet mes tyre u rritën dhe mbrëmë gjatë mesnatës 40-vjeçari ka hedhur lëndë djegëse në lokal. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur pjesa hyrëse e këtij lokali.

Njoftimi i policisë Fier:

Tentoi të digjte me lëndë djegëse, një lokal, për motive të dobëta, Policia identifikon dhe vë në pranga autorin.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Apollonia”, Fier, kishte rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit S. M., kanë shkuar mënjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me shërbimet zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur fikjen e zjarrit. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga shërbimet e Policisë, është identifikuar autori i dyshuar i kësaj ngarjeje, shtetasi A. S.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka hedhur pas mesnate, një sasi të vogël lënde djegëse, në lokalin e shtetasit S. M., dhe e ka ndezur atë. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur pjesa hyrëse e këtij lokali. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin A. S., 40 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.