Gruaja shkon te rimodeloj barkun por shikoni se cfare i bejn mjeket.

0
264

Emisioni Stop në Tv Klan sjell denoncimin e një zonje e cila i ishte nënshtruar rimodelimit të barkut në spitalin Sante Plus në Tiranë.

Por rezultatet janë të tmerrshme. Zonja jeton prej 22 vitesh jashtë Shqipërisë dhe pasi dëgjoi ofertën, që për 1900 Euro mund të rimodelonte barkun që kishte pasur para lindjeve, vendosi ta ndërmerrte këtë hap. Kur mori kontakt në këtë spital privat, i thanë që duheshin edhe 1900 Euro të tjera për heqjen e dhjamit. Por ky ishte vetëm fillimi.

Pas ndërhyrjes, zonja thotë se nuk i vunë kateter e nuk mund të shkarkohej. Për pasojë u fry dhe iu rrit shumë albumina. Në këto kushte e dërguan në QSUT për ndihmë më të specializuar.

“Unë nuk e dija fare spitalin, vetëm se e pashë në një reklamë dhe thashë, hajt, se ngaqë pas lindjes së fëmijëve më kishte ngelur barku shumë i madh edhe thashë po bëj rimodelim barku. Unë jam 22 vjet e larguar nga Shqipëria edhe nuk pyeta të them të drejtën fare, më thanë është hap tani, po s’dimë gjë fare. Në reklamë e thotë është 1900 pastaj shkon atje e thonë është 1900 rimodelimi dhe 1900 Euro heqja e dhjamit. Për fat të keq këto kishin harruar të më vinin kateterin, kur pas operimit çdo njeri duhet të ketë kateterin, një operim shumë i lehtë, jo i imi që më çanë tej përtej barkun. Futej serumi në trup dhe më fal për shprehjen nuk dilja as të hollin as të trashin, trupi fryhej, fryhej. Albumina e trupit duhet të jetë 1.20 dhe mua më kishte shkuar 9. Lëre që të gjithë infermierët kishin 2 muaj, që kishin mbaruar kursin dhe praktikën dhe kishin ardhur atje. Më kishin bërë sterr, që unë jam aq e bardhë dhe damari im gjendet aq kollaj. U detyruan pastaj, ngaqë nxorën analizën, u detyruan dhe më çuan te Nënë Treza (QSUT), në katin e gjashtë kam qenë në spital”.

Kur u kthye në spitalin Sante Plus, plagët nuk po i mbylleshin prandaj e rioperuan. Pasi shkoi në shtëpi, barku iu hap plotësisht, aq sa të ëmës i ra të fikët kur e pa.

“Para se të operohesha më kishin thënë që pas 10 ditësh do të bësh banjo. Mirëpo unë shkova njëzet e ca ditë në spital dhe nuk bëra banjo. Shkoj në shtëpi unë, bëj banjo, u zbut plaga, i ra korja, që ishte mbledh gjaku. Kur unë u ngrita të vija në dhomë për t’u veshur, kur më sheh mami i ra të fikët. Marr të vë rripin, ç’a të shikoj?! Ishte hapur barku tej e përtej, futej dora, të dilnin zorrët. Kam shkuar dhe 5 herë të tjera, më kanë hequr copat e vdekura të mishit. Pastaj më thanë mua, do futemi në sallë dhe më gënjen mua dhe gjithë familjen time. E pyetën, sa orë do rrijë në sallë dhe u tha 10-20 minuta. Katër orë në sallë dhe e pe qepjen e fundit, si më kanë qep, si një kafshë dhe jo operim plastik. Të paguash 2500 Euro”.

Në spitalin Sante Plus zonja shkoi dhe 5 herë të tjera për ndërhyrje. Herën e pestë i hoqën edhe kërthizën. Zonja tregon, se kjo situatë ka futur në depresion gjithë familjen e saj.

“Të pestën herë më kanë bërë operimin e fundit dhe më mbyllën dhe kërthizën komplet, s’kam më kërthizë në trupin tim. Doktorët këtu më kanë thënë që do më fusin përsëri dhe të më bëjnë edhe njëherë rioperim të gjitha pjesët, që më kanë bërë këto idiotat dhe të nxjerrin dhe kërthizën, sepse nuk bëhet trupi pa kërthizë. Për çdo ditë, unë akoma kulloj gjak dhe qelb. Kemi kaluar në depresion tërë familja, jo vetëm unë. Kam kërkuar pronarin, fshihen, se kush është pronari, Zoti i madh e di! Ai që më kishte operuar mua nuk është parë në Spitalin Sante. Mori avionin dhe u zhduk. Turk, turk. Turqit mbarojnë shkollën atje, vijnë e bëjnë praktikën te ne dhe ikin e thyejnë qafën prapë atje”.

Në vendin ku jeton, zonjës i duhet të bëjë sërish ndërhyrje dhe të rregullojë edhe kërthizën. /tvklan.al