Fenomeni i cuditshem ne Turqi.Zbulohet e çara e tokës me gjatësi 400 km pas termetit

Tërmetet në Turqi kanë lënë pas një dëm mjaft të madh jo vetëm në ndërtesa, por edhe në relievin e tokës. Së fundmi është zbuluar në fshatin Tevekeli të Kahramanmaras, një e çarë gjigande e tokës me gjatësi gati 400 kilometra.

Bëhet fjalë për një deformim të relievit me 3-4 metra, por ajo që e bënë të befasishme këtë ndodhi, është pikërisht gjatësia dhe thellësia e lëvizjes së tokës. Sipas mediave turke, mësohet se thellësia e lëvizjes së tokës është afërisht 8 deri në 10 kilometra, po aq nga ku raportohet lëvizja e pllakave sizmike.

Orhan Tatar, drejtori i Përgjithshëm i Rrezikut dhe Reduktimit të Tërmeteve të AFAD, u shpreh se tërmetet kanë shkaktuar dëme në një sipërfaqe 110 mijë kilometra katrorë, e cila përllogaritet gati 4 herë sa sipërfaqja e Shqipërisë.

Për Tatar, tërmetet e fundit në Turqi kanë qenë ndër më të fuqishmit që kanë rënë në tokë. Ai theksoi se pasgoditjet do të zgjasin për shumë kohë, duke qenë se dy lëkundjet e mëdha kanë qenë mbi 7 të shkallës rihter.