Ekspertja tregon se 1 ne 5 persona qe ka kaluar kovidin do te vuaj nga kjo semundje

Pothuajse një në pesë persona që kanë kaluar Covid-19, diagnostikohet me një çrregullim psikiatrik të tillë si ankthi, depresioni apo pagjumësia, në harkun kohor të 90 ditëve nga testimi pozitiv për virusin. Ishte ky rezultati i një studimi të kryer nga Universiteti i Oxfordit dhe Qendra e Kërkimit Biomjekësor Shëndetësor në Oksford NIHR që shkaktoi jo pak bujë kudo në botë.

Sipas këtij studimi, njerëzit me një diagnozë para-ekzistuese të shëndetit mendor kishin 65% më shumë gjasa të diagnostikohen me COVID-19, sesa ata pa një diagnozë të tillë, madje duke llogaritur edhe faktorët e njohur të rrezikut si mosha apo kushtet themelore fizike.

Lidhur me këtë temë, ka bërë disa sqarime së fundmi psikiatrja Arjana Rreli, e cila ishte e ftuar te “Rudina”. Ajo u shpreh se në këtë studim nuk janë marrë faktorët ekonomikë dhe socialë, që mund të ndikojnë po ashtu negativisht.

“Një në pesë persona, nuk janë pak. Por po të shikosh studimin nuk janë marrë faktorët socialë dhe ekonomikë. Këto mund të jenë faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht. Nëse e shikojmë në këndvështrimin pozitiv, këto tre çrregullime nuk janë çrregullime të forta të shëndetit mendor. Ankthi, depresioni dhe pagjumësia, nuk konsiderohen si çrregullime të forta. Por nga ana tjetër të gjithë e kanë përjetuar këtë situatë me frikë, pasi ka qenë diçka e panjohur. Nëse flasim për ankth ndikon në mbarëvajtjen e shëndetit tonë”, tha Rreli.

Më tej mjekja shtoi se ata që kanë probleme mendore kanë më shumë risk që të infektohen me Covid-19. ” Një person që ka probleme të shëndetit mendor ka një imunitet më të ulët. Problemet e shëndetit mendor ulin forcën mbrojtëse në organizëm, pasi kanë lidhje me çfarë imuniteti ynë duhet të luftojë praninë e virusit. Duke qenë se imuniteti është më i rënë, predispozita që të infektohen është më e madhe.”