E madhja Aurela Gaçe: Për ju që thoni nuk punoj këtu, ju njoh me dy mësueset që punojnë kuzhiniere!

Nga Aurela Gaçe

Këto ditë ndodhesha në një kompleks të njohur në Lezhë!

Teksa isha duke rregulluar diçka në pasqyrë, dy zonja, të veshura me uniformën tipike të stafit të kuzhinës, kaluan aty pranë e meqenëse më njohën, kërkuan të bënin një foto. U afruan me shumë mirësjellje.

Ne, -tha njëra prej tyre- jemi mësuese me profesion, por gjatë verës, punojmë edhe në kuzhinë. Hoqën përparësen,bëmë foton e po me mirësjellje u larguan.

Unë foton nuk e kam, e nuk e di nëse ato më ndjekin në rrjetet sociale, por doja t’i falënderoja.

Doja t’i falënderoja për njeriun-hero që janë.

Tani, shumë shpejt, ato dy mësuese, do të kthehen në profesionin e tyre për tê cilin edhe kanë studiuar. Do të kthehen në detyrën e shenjtë të mësimdhënies.

Eh sa të bukura m’u dukën me përparësen e kapuçin e kuzhinës. Thashë me vete, lum fëmijët që marrin dije nga njerëz të tillë. Për mua, këta janë heronjtë e heshtur.

Këta nuk bëjnë as zhurmë, as marrin trofera. Por, janë ata heronj që me veprimet e tyre, në heshtje, na tregojnë se ne, jemi të pasur me njerëz të bukur, të pasur shpirtërisht, që duan punën.

Unë dua t’u them faleminderit dy mësueseve.

Shembulli personal, është mësimdhënia më e vlefshme për brezin që rritet. Uroj ta lexojnë.

Nuk arrita t’ua u thosha përballë gjithë mendimet, por dua ta dinë se më sollën shpresë.

Po po, shpresë! Shpresë për nesër.

Uroj ta lexojnë edhe ata që rëndom thonë se s’dinë ç’të bëjnë, se s’kanë punë etj etj justifikime prej dembelësh. Ose kur thonë “jashtë shtetit punoj unë, por këtu jo” Kush e do punën, kush e do familjen e vetë, e gjen gjithmonë mundësinë të çojë të ardhura në shtëpi. Të punosh, është krenari”.