Cila vjen e para, nëna apo gruaja?

Pyetja: Cila duhet të jetë më e para për ne si burra, nëna apo gruaja, pasi ndaj të dyjave kemi hak (pra të dyja palët gëzojnë të drejta ndaj nesh) ?

Përgjigja: Unë mendoj se pyetja është gabim, se nuk ka të parë mes dy gjërave të ndryshme. Të parë dhe të dytë ka kur gjërat janë të barabarta, kur gjërat janë njësoj. Nëna ka një pozicion, që gjitha gratë e botës sikur të mblidhen në një anë nuk mundn ta zënë pozicionin e nënës. Po kështu dhe gruaja ka një pozicion, që sikur të gjitha gratë e botës të mblidhen në një anë nuk mund ta zënë dot atë lloj pozicioni. Pra gjithsecila ka rendin e vet dhe nuk ka renditje kush ka më shumë përparësi, gjithsecila ka hakun e vet. Ka gjëra nëna që është mbretëreshë në hakun dhe në të drejtën e saj dhe s’mund ta konkurojë askush. Dhe ka të drejta gruaja që është ajo mbretëreshë dhe s’ka të drejtë t’i hyjë në hak askush, edhe nëse është nëna jote. Kështu që, siç tha Pejgamberi (alejhi salatu ue selam): “Jepi gjithsecilit atë që meriton.” Prindi në islam është pas Zotit, prindi duhet të respektohet, prindi duhet të nderohet, prindit duhet t’i shërbesh, prindi është mbi kokat tona, absolutisht për çdo gjë, derisa nuk i hyn në hak palës tjetër. Nëna mund të jetë e sëmurë mendore, nëna mund të jetë me fiksime, nëna mund të jetë me vesvese, nëna mund të jetë me huqe. Tani cili është problemi dhe përse duhet të vuajë pala tjetër ndërkohë që është në të drejtën e vet dhe në hakun e vet.

Kështu që gjithsecili ka hakun e vet, gjithsecili ka meritën e tij. Kjo nuse që ka ardhur në shtëpi që është sot bashkëshortja jote, është bija e dikujt dhe kur ta ka dorëzuar i ati i saj, apo kujdestari i saj, apo familja e saj, e ka dorëzuar me besimin, me mendimin, se ti do të jesh njeriu më i duhur për të qenë ortaku i saj në jetë, bashkëshorti i saj, të ka dorëzuar shpirtin, të ka dorëzuar një pjesë të trupit, të shpirti të vet, ta ka dorëzuar ty, ta menaxhosh ti, apo të menaxhoni jetën së bashku. Kështu që gruaja, bashkëshortja, nuk është robëreshë, as nuk është skllavëreshë, skllave në shtëpinë e dikujt, por ajo është e nderuar dhe e respektuar. Kështu që, le të themi, burri, bashkëshorti, duhet të jetë shumë i kujdesshmëm, nuk duhet të dëgjojë asnjëherë vetëm njërën palë, ta thotë të vërtetën dhe të drejtën aty ku duhet thënë, nëse e drejta është në njërën prej palëve, dhe mos t’na pengojë nga thënia e të vertetës dhe e të drejtës fakti që kjo është nëna ime e s’dua ta lëndoj. Apo fakti që kjo është gruaja, nëna e fëmijëve të mi, e s’dua ta lëndoj përballë nënës time. Ai duhet të dijë sesi të gjejë ekuilibrin, ai duhet të dijë sesi të bejë kondicionimin në rast se ka përballje, në rast se ka problematika dhe normalisht me emër të Zotit, me ndihmën e Zotit, me lejen e Zotit, një mashkull i mirë, një burrë i mirë, di si t’i japi gjithsecilës prej tyre atë që me të vërtetë i takon. Kështu që duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe nuk ka të parë dhe të dytë, por ka respekt dhe ka të drejta gjithsecila prej tyre ndaj nesh. Nëna ka të drejtat e veta që i gëzon tek ne dhe gruaja ka të drejtat e veta që i gëzon tek ne. Ne duhet të jemi korrekt me shlyerjen e të drejtave dhe detyrimeve që kemi ndaj tyre.

Dr. Imam Ahmed Kalaja