Biskota me gjalpë dhe bajame që shkrihen në gojë

0
297

Janë shumë të mira dhe nëqoftëse ju tepron ndonjë, mund edhe t’i paketoni e t’i bëni dhuratë për miqtë e të dashurit tuaj!

Fotografia e Si shijon

Përbërësit (për rreth 40 biskota):

• 250 gr gjalpë lope pa kripë
• 2 filxhanë çaji (filxhanë nga ata te dikurshmit me vëllim rreth 240 ml, që nuk janë shumë të mëdhenj) miell gruri për çdo përdorim
• sheqer pluhur (gjysmë filxhan çaji për brumin dhe 1 filxhan për të lyer biskotat nga jashtë), ka në supermarket paketim gjysmë kg nga Neranxi.
• 140 gr bajame (rreth një filxhan çaji)
• Vanilje (1 zarf vanilje me sheqer)

Përgatitja:

Gjalpi duhet të jetë i zbutur në temperaturë ambienti.
Bajamet i vendosim në ujë të nxehtë për 15 minuta derisa të mund t’ju hiqet kollaj lëkura. Pasi i kemi pastruar te gjitha nga lëkura, i pjekim në furrë te nxehtë derisa të marrin pak ngjyrë, rreth 10 minuta. Më pas i grijmë hollë në blender (duhet të bëhen si miell i trashë). Përziejmë miellin, sheqerin pluhur, vaniljen dhe bajamet e grira. Më pas shtojmë gjalpin duke e ndarë copa-copa. Me duar përziejmë dhe gjalpin me përbërësit e tjerë derisa të formohet një brumë homogjen.

Mbulojmë një tepsi me letër furre dhe përgatisim biskotat në formë topthash të vegjël. Madhësia duhet të jetë pak më e madhe se një kokërr arre. Duhen vendosur 2-3 cm larg njëra tjetrës që të mos ngjiten gjatë pjekjes.

Biskotat piqen në furrë të parangrohur në 170-180 gradë për 20-25 minuta. Nuk është problem nëse ju duken pak të buta kur i nxirrni nga furra. Pasi janë pjekur i heqim me kujdes nga tepsia që të mos thërmohen dhe i lemë të ftohen për 2-3 minuta. Pasi janë ftohur pak, i lyejmë me sheqer pluhur.

Ju bëftë mirë!