Beni kujdes.Hyn në fuqi ligji i ri, ja cfarë ndodh nëse nuk paguani gjobat e makinave

0
173

Nëse makina juaj ndalohet nga policia dhe konstatohet se nuk ka shlyer gjobat e vendosura, atëhere bëhet gjithnjë e më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që pronarët e këtyre mjeteve të dalin sërish në rrugë. Ndryshimet ligjore në fushën e qarkullimit rrugor, të cilat sot kanë hyrë në fuqi, ngushtojnë hapësirat e tolerimit si për shoferët, ashtu edhe për punonjësit e policisë.

Nëse konstatohen gjoba të pashlyera, apo që janë debitorë për kundravajtje administrative, makina do të çohet në pikat e ruajtjes, deri në paraqitjen nga kundërvajtësi të dokumenteve të munguara.

Ndalimi administrativ i mjetit rrugor

Mjetet rrugore për të cilat është marrë masë administrative plotësuese, si ndalim administrativ ose heqje mjeti, ruhen pranë pikave të ruajtjes të caktuara për këtë qëllim.

Ndalimi administrativ i mjeteve rrugore, bëhet sipas afateve të përcaktuara në nenet përkatëse të Kodit Rrugor, pas plotësimit të procesverbalit të konstatimit të shkeljes nga agjenti verifikues.

Në rastet kur nuk është përcaktuar periudha kohore e ndalimit administrativ, ndalimi bëhet në varësi të mundësisë së kundërvajtësit për të paraqitur dokumentacionin e munguar në momentin e konstatimit, brenda periudhës kohore prej 5 (pesë) ditë kalendarike, kohë e nevojshme për paraqitjen e dokumentacionit të munguar, ose për ankim në OASH.

Në rast të mos paraqitjes së dokumentacionit të detyrueshëm ligjor të mjetit brenda afatit 5 ditor, nga agjenti verifikues përpilohet procesverbali i konstatimit të shkeljes, deri në paraqitjen nga kundërvajtësi të dokumenteve të munguara.

Në rastet e identifikimit të drejtuesve të automjeteve debitorë për kundërvajtjet administrative në fushën e qarkullimit rrugor, për përmbushjen e detyrimeve financiare, agjenti verifikues bën ndalimin me procesverbal të mjetit në pikën e caktuar të ruajtjes, si dhe plotëson procesverbalin e konstatimit të shkeljes pa vlerë gjobe.

Në të gjitha rastet, kur Kodi Rrugor parashikon përveç sanksionit me gjobë, edhe masa administrative plotësuese, kompetenca e vendosjes së masës administrative plotësuese është e agjentit verifikues që ka verifikuar shkeljen.

Për rastet kur Kodi Rrugor parashikon masën administrative:

a) Parandaluese të sekuestrimit, pas plotësimit të procesverbalit të konstatimit të shkeljes, mjeti dërgohet në ruajtje pranë vendit të caktuar të ruajtjes.

b) Plotësuese të konfiskimit administrativ, kur kanë kaluar 5 ditë nga rrëzimi i ankesës nga OASH-ja, ose nga përfundimi i afatit për ankesë tek OASH-ja (pra nuk është paraqitur), ose nga përfundimi i periudhës së caktuar të sekuestrimit, kur nuk është paraqitur kërkesa për heqjen e sekuestrimit, OASH-ja shprehet me vendim për vlefshmërinë e konfiskimit të mjetit dhe kalimin e tij në Rezervat Materiale të Shtetit, transmeton RTSh.

Kur mjeti u takon personave që nuk kanë lidhje me shkeljen administrative, mjeti nuk konfiskohet, por veprohet duke ndërprerë qarkullimin e mjetit dhe shoqërimin e tij së bashku me drejtuesin e mjetit në Komisariatin e Policisë për verifikim e identifikim